Dezinfektohen rrugët e Prishtinës

Me shtimin e numrit të rasteve të konfirmuara me koronavirus në Kosovë, po shtohen edhe masat për të parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve. Qysh herët në mëngjes në të gjitha rrugët e Prishtinës kishte nisur pastrimi dhe dezinfektimi i tyre.

Aksioni i Komunës së Prishtinës do të vazhdojë të përsëritet dy deri në tre herë në javë derisa janë kontraktuar 6 kompani. Derisa marketet dhe farmacitë nga dita e sotme janë duke punuar me orar të reduktuar. Edhe bankat janë duke funksionuar. Kjo pamje tregon se sa po respektohet kërkesa e qeverisë ndaj qytetarëve për vetizolim.

Dy ditët e parë shihej rrallë ndonjë njeri në rrugë, por jo edhe të hënën e të martën. Shumë qytetarë e kanë shfrytëzuar parkun e qytetit për tu relaksuar.  Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se një autobus është nisur nga Italia për në Kosovë me udhëtarë, por ilegalisht, pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e kufijve.

Përmes një njoftimi në Facebook, Abdixhiku njofton se autobusi është kthyer prapa në Kroaci. Për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit shërbimi korrektues i Kosovës ka kërkuar pezullimin e vendimit të dënimit për 23 persona të cilët janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Katër prej tyre janë refuzuar dhe ne jemi në pritje të vendimit për pjesën tjetër. Sipas Gjykatës kompetente këto kërkesa janë refuzuar sepse sipas tyre shërbimi korrektues mund të jap trajtimin e mjaftueshëm shëndetësor”.

Që nga data 12 e këtij muaji janë ndaluar vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese. Ndërkohë, Presidenti Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me komandatin e FSK-së Rrahman Rama, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së në rast nevoje.

Tv Klan