Do të mbyllen klubet e natës, kufizime për dasmat dhe restorantet

Pas shtimeve të rasteve me variantin e ri Delta të koronavirusit, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka paralajmëruar se të mërkurën do t’i propozojë qeverisë Kurti masat e reja që duhet ndërmarrë për luftimin e COVID-19.

“Do të propozohet që të mbyllen klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë dhe do të propozojmë zgjidhje rreth dasmave me shumë kufizime të reja”.

Arsyeja pse do të merren këto masa në Kosovë është se shpërndarja e virusit është evidente që po vjen nga hapësirat e mbyllura. Vitia ka theksuar se varianti Delta ka përhapje katër herë më të shpejtë dhe nuk përjashton asnjë grupmoshë.

Më herët shoqata Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka bërë të ditur detajet nga takimi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia ku është diskutuar për masat e reja kundër pandemisë COVID-19.

Sipas kësaj ode në Kosovë duke nisur nga data 20.08.2021 sallat e dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të pjesëmarrësve deri 150 persona.

Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021. Të gjitha restorantet, kafeteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30. Nga data 20.08.2021 nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet hoteliere dhe restorantet personat pa dëshmi vaksinimi apo shfaqur testin  negativ ndaj Covid-19.

Klan News