Kosova vendos reciprocitetin për letërnjoftimet




Kosova vendos reciprocitetin për letërnjoftimet

23:52 29/06/2022

Reagon Vuçiç: Kosova të mendohet mirë

Kosova ka vendosur sërish reciprocitetin për hyrjen e shtetasve dhe makinave me targa të Serbisë në territorin e saj.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë dhe është bërë i ditur nga Kryeministri Albin Kurti, i cili sqaroi se çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që zëvendëson përkohësisht përdorimin e letërnjoftimit.

Gjithashtu qeveria ka marrë vendim që banorëve, kryesisht në veri të vendit që kanë targa të lëshuara nga Serbia, t’ua japë edhe një shans ”të fundit”, për kthim në targa të Kosovës. Sipas Qeverisë, pronarëve të makinave me këto targa u është mundësuar që kthimin ta bëjnë në periudhën 1 Gusht 2022 – 31 Shtator 2022.

Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, sipas marrëveshjes së përkohshme të arritur mes dy vendeve vitin e shkuar në Bruksel.

Ndaj këtyre vendimeve ka reaguar ashpër Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç, i cili ka thënë se Prishtina duhet të mendojë tre herë deri më 30 Shtator para se të vazhdojë të mbulojë targat e automjeteve me emrat e qyteteve serbe.

Vuçiç ka thënë gjithashtu se nuk ka asgjë nga dialogu Prishtinë – Beograd pas këtyre vendimeve të marra nga qeveria në Kosovë.

Tv Klan











Të ngjashme