Qeveria e Kosovës vendosi të përfshijë në tatimin me 100% edhe produktet e markave ndërkombëtare që prodhojnë në Serbi. Sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tatimi nuk e jepte të plotë efektin duke përjashtuar 9 marka ndërkombëtare që prodhohen në Serbi. Ministri argumenton se këto kompani nuk do të dëmtohen nga taksa kundër produkteve serbe.

“Para se të merrja këtë vendim, jam konsultuar edhe me përfaqësuesit e këtyre kompanive, të cilët kanë filluar që furnizimin që e bënin nga Serbia në Kosovë, kanë filluar ta bëjnë nga vende të tjera të rajonit”.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se pas këtij vendimi nuk do të ketë përshkallëzime të masave kundër Serbisë. Megjithatë Haradinaj kritikoi ashpër Bashkimin Europian që nuk reagoi për letrën që Kryeministrja serbe u ka dërguan disa vendeve të unionit që të tërheqin njohjen për Kosovën.

“Është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së në këtë rast e zonjës Mogerini e komisionerëve të tjerë për këtë letër. Kjo është një vepër agresioni”.

Ndër të tjera, tatimi i vendosur më 21 Nëntor synonte të ndëshkonte Serbinë edhe për fushatën ndërkombëtare që ka ndërmarrë për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, Prishtina paralajmëroi se nuk do ta heqë tatimin 100% deri kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Tv Klan