Kosovë: 9 të vdekur dhe 152 raste me COVID-19



Kosovë: 9 të vdekur dhe 152 raste me COVID-19

08:12 06/07/2020

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njofton se të dielën ka regjistruar nëntë të vdekur dhe 152 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Me këto shifra, numri i të vdekurve në Kosovë nga koronavirusi arrin në 75.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së, viktimat kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë ditës së diel, mediat raportuan për katër raste të vdekjeve në Qendrën Klinike Universitare. Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media, nuk e konfirmoi numrin e të vdekurve, por i bëri thirrje publikut dhe të gjithëve “që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve”.

Në njoftimin e IKSHPK-së po ashtu thuhet se 28 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 1,902.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 3,508 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1,531 vazhdojnë të jenë raste aktive.

Qeveria e Kosovës të dielën miratoi një sërë masash me qëllim të parandalimit të koronavirusit. Ndër to është edhe rikthimi i masës së kufizimit të lëvizjes në disa qytete ku ka më së shumti raste të infektimeve.

Këto masa të qeverisë, do të hyjnë në fuqi nga 6 korriku./REL




Të ngjashme