Donika Kada Bujupi ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas 13 vitesh në këtë subjekt politik.

Dorëheqja e Donika Kadaj Bujupit, deputetes dhe njëkohësisht Shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga kjo parti, erdhi menjëherë pasi u shënua Epopeja e Dukagjinit në Glloxhan. Largimi i saj nga partia, ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkuarjen e saj në akademinë përkujtimore te Epopesë së Dukagjinit në Deçan, raporton Klan Kosova. Burime të Klan Kosovës brenda AAK-së, thonë se përveç pakënaqësive tjera, pika kulminante ka qenë sot kur organizatorët e ceremonisë kishin vendosur që Kadaj të mos ulet në rendin e parë, por në të dytin.

Donikës nuk i pëlqeu se ku i ishte përcaktuar vendi për tu ulur, pasi karrigia e saj nuk ishte në rreshtin e parë por në rreshtin pas tyre, ka thënë ky burim për Klan Kosovën. Kur partia pjesë e së cilës deputetja ishte për 13 vjet e konfirmoi dorëheqjen e saj, nuk e la pa iu falënderuar për kontributin që dha për këtë subjekt politik, e i dëshiron suksese në të ardhmen.

Ndër të tjera, në deklaratën e AAK – së thuhet se vendimi i Kadaj – Bujupit që të mos jetë më pjesë e kësaj partie, i përket vetëm asaj dhe arsyeve që ajo ka. Kurse, në përpjekjet e Klan Kosovës për të kontaktuar me deputeten kanë qenë pa rezultat, ngase ajo pasi ka dhënë dorëheqjen, nuk është lajmëruar në telefon.

Donika Kadaj Bujupi, është njëra ndër deputetet më të njohura në Kuvendin e Kosovës, sidomos kundër dy marrëveshjeve që nënshkroi Qeveria e Kosovës me atë të Serbisë gjatë vitit të kaluar: Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe atë të Demarkacionit me Malin e Zi.

Ajo kishte hedhur edhe gaz lotsjellës në sallën parlamentare për të penguar vazhdimin e seancës, veprim për të cilin më pas u arrestua (18 Nëntor 2015), e u dërgua në paraburgim. Masa e paraburgimit, i ishte zëvendësuar me atë të “arrestit shtëpiak”, pasi deputetja ishte sëmurë gjatë qëndrimit në burg./tvklan.al