Prokuroria e Posaçme Kosovës, tha të mërkurën se ka ndaluar dy persona nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe “dhënie apo marrje e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Në një njoftim të prokurorisë, thuhet se ajo do të kërkojë masën e paraburgimit për dy yë ndaluarit të cilët janë identifikuar vetëm më nistoret e tyre, A.K dhe S.M. Prokuroria tha se është duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast, por pa dhënë hollësi të tjera.

Arrestimet pasuan ankesat e kandidatëve të partive politike në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit për keqpërdorim votash brenda për brenda subjekteve të tyre politike.

Të martën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, dha dorëheqje nga kjo detyrë si dhe nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas pretendimeve të ngritura rreth keqpërdorimeve të votave brenda radhëve të kësaj partie.

Dorëheqja pasoi vendimin e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e votave të hedhura me kusht dhe atyre nga diaspora për kandidatët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Vendimi pasoi pretendimin e kandidates së kësaj partie, Florentina Gjergjaj, sipas së cilës kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, siç tha ajo, në “mënyrë artificiale i është rritur numri i votave nga personat që kanë futur të dhënat në sistem apo nga personat që kanë bërë numërimin dhe rinumërimin e votave”.

Po ashtu në arsyetimin e vendimit, Paneli i është referuar edhe një video materiali të publikuar nga gazeta në internet Insajderi, ku tre persona dëgjohen duke diskutuar lidhur me “manipulimin e votave” në Qendrën për Numërimin e tyre dhe përgjatë diskutimeve, përmendet edhe emri i bashkëshortit të zonjës Haradinaj-Stublla, të ketë ofruar para në shkëmbim.

Zonja Haradinaj Stublla hodhi poshtë pretendimet ndërsa bëri thirrje për hetim të plotë të tyre. Gjatë së martës ajo u përfshi në përplasje në distancë me anëtarë të tashmë ish partisë së saj.

Zonja Haradinaj-Stublla u bë ministre e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti, në qershor të vitit 2020, e cila u themelua pas rrëzimit të qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti më 25 mars të vitit të kaluar.

Qeveria Hoti u rrëzua në dhjetor të vitit të kaluar, duke u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në të cilat doli fituese lëvizje Vetëvendosje e zotit Kurti. Në këto zgjedhje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi 8 vende në parlamentin 120 vendesh.

Pretendimet për keqpërdorime votash brenda subjekteve politike, nuk ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm të partive politike./VOA