Qytetarët nisin të ndërgjegjësohen pas rasteve me COVID-19

Me shtimin e numrit të të infektuarve me COVID-19, në Kosovë, qeveria ende nuk ka aprovuar masat e kërkuara nga ministri i Shëndetësisë për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohë të caktuara.

Zëdhënësi i qeverisë ka thënë se kërkesa e ministrit është duke u shqyrtuar në qeveri që pastaj të hidhet në votim.

Megjithatë në tri ditët e fundit qytetarët kanë filluar në masë të madhe të vetëdijësohen dhe të mos dalin në rrugë, ndërsa parqet tashmë janë të mbyllura.

Situata e krijuar me COVID-19 ka vënë në pikëpyetje edhe mbajtjen e seancës për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti të kërkuar nga partneri i koalicionit, LDK-ja.

Të martën pritet të mblidhet Kryesia, por paraprakisht do të marrin edhe mendimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik se si të veprojnë.

Ndërsa Kryeministri Albin Kurti është dashur të anulojë vizitën e tij në Gjermani, kurse sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane Angela Merkel ku kanë diskutuar për situatën politike dhe betejën me koronavirusin. 

Tv Klan