Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur një delegacion të Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky delegacion ishte i kryesuar nga kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku e i përbërë nga deputetë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi.

Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën integrimit evropian dhe politikës së jashtme dhe për nevojën e përhershme për bashkërendim dhe koordinim, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrisë.

Gjithashtu, ata dhanë mbështetjen e tyre të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në Dhjetor të vitit të kaluar dhe në Këshillin e Evropës, të dorëzuar në Maj të vitit 2022.

Tabaku në emër të delegacionit e uroi kryeministrin Kurti për përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, Kurti i falenderoi deputetët për vizitën, bashkëpunimin e deritanishëm dhe për gatishmërinë për të bërë edhe më shumë në shërbim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. /klankosova