Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Estonisë në Austri, jorezidente për Kosovën, Eve-Külli Kala. Të dyja palët diskutuan për zhvillimet e fundit në kuadër të axhendës evropiane të Kosovës duke u fokusuar në procesin e liberalizimit të vizave.

Ministri Çollaku, informoi diplomaten estoneze se Kosova ndodhet në fazën finale të përmbylljes së këtij procesi, pasi që ka përmbushur kriteret e përcaktuara dhe se pritet që brenda këtij viti qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në Zonën Schengen.

Po ashtu foli edhe për përgatitjen e institucioneve vendore për zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila pritet të hyjë në fuqi me 1 prill.

Lidhur me këtë ambasadorja e Republikës së Estonisë, Eve-Külli Kala, përgëzoi ministrin Çollaku, duke ofruar përvojën e shtetit të saj në zbatim të MSA-së.

Njëkohësisht ambasadorja Kala, përsëriti qëndrimin përkrahës të shtetit të saj për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe në përgjithësi për axhendën evropiane të Kosovës, raporton Klan Kosova./tvklan.al