Me këtë buzëqeshje të postuar në rrjetet sociale nga avokati i tij në Prishtinë, “Babalja” rikthehet në publik pas disa muajsh. Foto është bërë sapo ka dalë nga Gjykata e Kosovës, që ia hoqi prangat, duke i rikthyer lirinë.

Skafistit nga Vlora, Albert Veliut iu njoh kërkesa e tij për azil dhe gjykata arsyetoi se ai nuk mund të arrestohet dhe të ekstradohet për llogari të vendit ku pretendon se i rrezikohet jeta. Për Tv Klan avokati i tij Tom Gashi, shpjegoi çfarë ndodhi në sallën e gjyqit.

Edhe pse ka aplikuar prej 4 muajsh për azil, me pretendimin se në Shqipëri denoncoi një rast për trafik droge, i ashtuquajturi “Babalja” nuk ka marrë ende përgjigje nga pala kosovare.

Ndërkohë në Tiranë, sapo u njoftuan për arrestimin e Veliut, në Ministrinë e Drejtësisë nisën menjëherë procedurat e ekstradimit. Pala shqiptare do t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për ta sjellë “Babalen” në Shqipëri, por vendimi i Gjykatës së Prishtinës duket se e ka ndalur procesin.

Veliu u arrestua pasditen e së enjtes në qëndrën e azil-kërkuesve në Prishtinë, ku ai qëndronte prej muajit Qershor.

Të shtunën Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për 51-vjeçarin që akuzohet për kallëzim të rremë, kryer në bashkëpunim dhe kalim të jashtëligjshëm të kufirit.

Lirimi i Albert Veliut, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” vjen pasi Krimet e Renda kishin kërkuar arrestimin e tij për kallëzim të rreme, pikërisht në lidhje me audio-përgjimin që Veliu thotë se ka biseduar me Agron Xhafajn.

51-vjeçari u largua drejt Kosovës pas publikimit të një përgjimi me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërsa prokuroria ka dyshime se ky përgjim është i rremë, pasi Fredi Alizoti ka bashkëpunuar me Veliun për të imituar zërin e Agron Xhafajt.

Tv Klan