Me shpresa por edhe shumë rezerva rreth mundësisë së arritjes së një pajtimi në shkallë të gjerë, përfaqësuesit e partive politike, ekspertë dhe diplomatë perëndimorë, hapën të mërkurën debatin lidhur me marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

E nënshkruar në fund të Gushtit të vitit të kaluar, kjo marrëveshje që tashmë është ratifikuar nga parlamenti malazez, në Kosovë ka çuar në krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Tryeza e sotme shënon edhe përpjekjen e parë zyrtare për arritjen e një pajtimi në shkallë të gjerë rreth kësaj marrëveshjeje, mospajtimet rreth së cilës ishin pjesë e zhvillimeve edhe të dhunshme në parlament dhe jashtë tij.

Opozita pohon se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj me gjithë vlerësimet edhe ndërkombëtare se shënimi i kufirit është në pajtim më dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, citon Zëri i Amerikës.

Qeveria kërkon që të vihen në pah argumentet dhe nëse nuk ka pasur gabime, marrëveshja të ratifikohet në parlament, meqë është edhe kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës./tvklan.al