Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të hënën se është arrestuar një person i përkatësisë kombëtare malazeze nën dyshimet për krime lufte.

I arrestuari të cilin prokuroria e identifikoi me inicialet M.D. nga fshati Vitomiricë i komunës së Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës, dyshohet se ishte pjesë e një grupi të forcave serbe që ekzekutuan të paktën nëntë civilë shqiptarë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07 maj të vitit 1999 në rajonin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë civilë të përkatësisë kombëtare shqiptare dhe pesë civile të tjerë shqiptarë ende llogariten të zhdukur”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Mbi dhjetë mijë veta, kryesisht shqiptarë, u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave serbe. Rreth një milion veta u dëbuan nga shtëpitë e tyre para se ndërhyrja e NATO-s kundër forcave serbe t’i jepte fund luftës gati dyvjeçare.

Nëntë vjet pas asaj lufte Kosova shpalli pavarësinë e saj që është njohur nga shumica e vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia./VOA