I kishin përpara letrat e betimit, por seanca e konstituimit të Kuvendit dështoi që në fillim. Deputetët nuk arritën as të betohen pasi nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. PDK-LDK dhe AAK ishin kundër raportit. Vetëvendosje dhe disa deputetë të pakicave e ata të Listës Serbe abstenuan.

PDK, LDK dhe AAK edhe në komision nuk e kishin votuar raportin pasi sipas tyre kryeministri dhe ministrat të cilët emërohen deputetë duhet të jepnin doreheqje.

Edhe pas konsultimeve, marrëveshje nuk u arrit, pasi letra e kryeministrit drejtuar po të martën kryetarit të deritashëm të Parlamentit, Glauk Konjufca, nuk po ua mbush syrin opozitës.

“Pak që e kanë shkelur e sot nuk mund të japin betimin. Zoti Kurti të japë dorëheqjen”, tha Avdni Dehari, deputet i VV.

Vetëvendosje akuzoi opozitën se bashkë me Listën serbe qëllimisht po e bllokojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.

“Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, shprehet Kurti.

I mbetet kryesuesit të seancës që të organizojë dhe të mbledhë deputetët në një seancë të radhës, më së largu 48 orë nga momenti i dështimit.

Tv Klan