Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë për mediat se Ministria  e Financave po hap zyrtarisht fushatën informuese për mundësinë e re të investimit që do t’i ofrohet diasporës shqiptare.

“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, duke marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi. Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re”

, shtoi ministri Avdullah Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se gjatë fushatës informuese në ditët dhe javët në vijim, do të njoftoheni edhe me detajet tjera në lidhje me këtë produkt, përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim.

Në këtë Konferencë ministri Avdullah Hoti paraqiti para mediave edhe një kronologji të zhvillimit të hovshëm të këtij tregu që nga themelimi, ku bëri të ditur se ”Tregu i letrave me vlerë në Republikën e Kosovës filloi më 18 janar të vitit 2012, kur Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore por edhe me sektorin bankar, emetoi për herë të parë Bono Thesari në vlerë 10 milionë euro dhe me afat maturimi 3 muaj”, raportojnë mediat kosovare.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 në qarkullim kemi një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, kemi 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite, kemi një treg sekondar që funksionon dhe me nivel të likuiditetit që rritet dita ditës, si dhe  kemi plane që të zgjerojmë bazën e investitorëve edhe më tutje./tvklan.al