Latifi: Ndihmon për ta kaluar Covid më lehtë

Përballë rritjes së numrit të infektimeve me Covid autoritetet shëndetësore në Kosovë rekomandojnë bërjen e dozës së tretë të vaksinës. Ndonëse deri më tani nuk ka një vendim që e bën atë detyruese, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi thotë se marrja e dozës së tretë shmang rastet e rënda të shkaktuara nga Covid.

“Nëse dikush është vaksinuar me dy doza duhet ta marrë edhe dozën përforcuese. Unë e kam marrë edhe vet. Secili duhet ta marrë edhe vaksinën e tretë. Edhe ata që kanë marrë vaksinën mund të sëmuren. Vaksina nuk është 100% në të gjitha rastet, por nëse riinfektohesh megjithatë do të kalojë më lehtë sesa mos të jesh i vaksinuar”.

Por pavarësisht situatës aktuale të pandemisë Kosova deri më tani ka përjashtuar mundësinë e mbylljes së shkollave.

“Unë nuk besoj se duhet të mbyllen shkollat. Nëse mbyllim shkollat duhet të mbyllim të gjitha aktivitet e tjera. Shkollat janë të fundit që duhet të mbyllen, por duhet të marrim masa që në shkollë fëmijët të jenë të sigurt të vaksinuar”

Prej së shtunës në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid, mes të cilave edhe ajo që detyron të gjithë ata që duan të hyjnë në territorin e saj të paraqesin certifikatën e vaksinimit me tre doza, ose me dy doza por shoqëruar me test PCR.

Tv Klan