Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Komisioneri i përkohshëm për median ndërmerr sanksione kundër gazetës “Dita” dhe dy gazetave të tjera në Kosovë. Pas paralajmërimeve që kishin mbërritur ditë më parë në adresë të kësaj gazete, këtë herë komisioneri për median ka dënuar gazetën “Dita” me 25 mijë marka gjermane.

Gazeta “Dita” është gjobitur për shkeljet e përsëritura të rregullores, e cila sipas komisionit, ndalon gazetat në publikimin e shënimeve personale, me anë të të cilave vihet siguria apo jeta e individit në rrezik. Dy gazetave të tjera kosovare u është tërhequr sot vëmendja për shkelje të të njëjtit lloj.

Komisioneri i përkohshëm për median, ka sqaruar sot në një komunikatë për shtyp se qëllimi i këtyre sanksioneve është i thjeshtë, jeta e personave nuk mund të vihet në rrezik duke publikuar fakte personale. Ky vendim është marrë fill pas nënshkrimit të rregullores për kodin e sjelljes së gazetarëve, të nënshkruar nga kryeadministratori Kushner./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori