Serbia humbi afro 85 milionë euro nga taksa 100 %

Shkëmbimi tregtar Kosovë-Serbi ka rënë në shkallën më të ulët. Por, ai nuk ka qenë zero. Kosova dhe Serbia, sipas të dhënave zyrtare, kanë shkëmbyer 108 milionë euro mallra. Kjo nga ana e Serbisë tregon një rënie prej 79.4 për qind të eksportit serb apo 84.7 milionë euro. Kosova, ka pësuar rënie të eksportit në Serbi prej 13.4 për qind krahasuar me një vit më parë apo 23 milionë euro.

Nenad Gjurgjeviç, nga Dhoma Biznesit të Serbisë, thotë se ky institucion dhe biznesmenët kanë qenë të interesuar për marrëdhënie më të avancuara.

Nenad Gjurgjeviç, nga Dhoma Biznesit të Serbisë: Jemi angazhuar që të përmirësojmë pozitën e kompanive nga Kosova aty ku ne mund të ndikojmë. Kemi përmendur njohjen e dokumenteve që kompanitë të mund të marrin pjesë në tender, të zgjidhim problemin e targave. Këto janë gjëra të dala mode dhe bllokojnë bashkëpunimin normal.

Rreth 446 milionë euro kishte qenë shkëmbimi legal i Kosovës dhe Serbisë. Çuditërisht importi më i madh kësaj radhe nga Serbia në Kosovë është energjia elektrike. Tarifa doganore e Kosovës la ndikimin e saj, por edhe i krijoi Serbisë një barrierë për vazhdimin e dialogut. Për Serbinë heqja e plotë ose asgjë është kërkesa.

Nenad Gjurgjeviç, nga Dhoma Biznesit të Serbisë: Të gjithë e kanë ditur që taksa është një instrument politik në të cilin në si dhoma tregtie nuk mund të ndikojmë. Kemi tërhequr vërejtjen se taksa ndikon në çmime dhe ka dëmtuar edhe ekonominë e Kosovës dhe të Serbisë. Pse të Kosovës? Sepse rreth 58-60 për qind janë lëndë e parë që përpunohet tutje.

Dhoma e Biznesit, thotë se fokus tani ka bashkëpunimin në industrinë e teknologjisë. Serbia ka arritur një treg prej 1.2 miliardë euro në këtë fushë dhe bashkë me kompanitë nga Kosova planifikojnë të udhëtojnë për në Uashington për të kapur tregun amerikan. Tarifa, besohet se ka dëmtuar kompanitë e vogla dhe të mesme. Ato të mëdhatë kanë punuar në Kosovë përmes tregjeve të tjera.

Tv Klan