Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 5.773 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit 6.879 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.

Në vendin e dytë, për kah pjesëmarrja në votime është Leposaviqi, me 74 për qind të votuesve apo mbi 8.500 prej 12.707 personave me të drejtë vote.

Pjesëmarrje e lartë në votim është shënuar edhe në komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë, sikurse Mitrovica e Veriut me 67 për qind, Novobërda me 60 për qind, Zubin Potoku me 64 për qind dhe Shtërpca me 57 për qind.

Në kryeqytetin e Kosovës,në Prishtinë kanë dalë në votime rreth 55 për qind e qytetarëve me të drejtë vote ose rreth 87.843 qytetarë nga 195.978 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.

Dalja më e ulët për nga numri i votuesve është shënuar në Dragash, me vetëm 34 për qind, ku kanë votuar rreth 13.480 qytetarë nga 39.059 që kanë të drejtë vote.

Sipas të dhënave preliminare të mbi 95 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është rreth 43 për qind.

Ndërkaq në zgjedhjet komunale të vitit 2017 përqindja ishte 43.5 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët tha për Radion Evropa e Lirë se rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, pas nisjes së mbylljes së vendvotimeve tha se në zgjedhjet lokale nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor.

Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, tha se në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit.

“Në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.

Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë./REL