Kosovë, zgjedhjet e brendshme në LDK dhe situata politike

Kosovë, zgjedhjet e brendshme në LDK dhe situata politike

20:30 01/08/2019

Lidhja Demokratike e Kosovës mblodhi të enjten kryesinë e saj për të diskutuar përgatitjet për kuvendin zgjedhor që pritet të mbahet më tre gusht dhe zgjedhjen e kryetarit të partisë.

Deri më tani, asnjë nga anëtarët e partisë nuk ka pranuar zyrtarisht që do të kandidoj për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila muajve të fundit ishte përballur me probleme gjatë zgjedhjeve brenda degëve dhe nëndegëve nëpër Kosovë.

Por, zyrtarët e Lidhje Demokratike të Kosovës thanë sot se disa anëtarë të saj kanë shprehur interesim për të marr postin e shefit të partisë dhe se sipas zëdhënësit Besian Mustafa, kryesia po punon vazhdimisht për të kërkuar një kandidat të përbashkët.

“Kryesia si e gjithë anëtarësia e LDK-së vlerëson se është shumë e rëndësishme që në krye të partisë pra të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese zgjidhje për të cilën po punojmë vazhdimisht sot e deri më tre gusht”,tha ai.

Zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë zgjuar interesim të madh pasi që aktualisht kjo parti është më e madhja në parlament për nga numri i deputetëve dhe shihet si forcë politike me peshë për skenën politike në zgjedhjet e reja të parakoshme që pritet të mbahen në Kosovë, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.

Megjithëse ende nuk dihet kur do të mbahen zgjedhjet në Kosovë, partitë politike tashmë po sillen thuasje ka filluar fushata paraelekrorale.

Megjithatë, Kosova është ende në pritje të një vendimi se çfarë do të bëhet më tej. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se është i gatshëm që t’i shpall zgjedhjet e reja, nëse partitë politike nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje tjetër pas dorëheqjes së kryeministrit.

Presidenti Thaçi filloi të martën këshillimet me partitë më të vogla të komuniteteve, ndërsa një gjë të tillë do të bëj edhe me partitë tjera më të mëdha të vendit për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale. Ai ka para vetes dy mundësi; t’i ofrojë një mandatari të ri nga shumica e deritashme parlamentare mundësinë për të ngritur një qeveri të re, apo të arrij një marrëveshje me partitë politike për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme.

Por deri tash partitë politike e kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja, ndërsa një pjesë e tyre ka kërkuar nga presidenti që të veprohet më shpejt në të kundërtën do të hedhin nismën për shpërndarjen e parlamentit.

Kosova po përballet me një situatë të paqartë politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili javën e kaluar u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë.

Kushtetuta dhe ligjet nuk sigurojnë qartësi të plotë në situata të këtilla si kjo me dorëheqjen e kryeministrit që është rasti i parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe kjo nxiti debate edhe për rolin e qeverisë në largim.

Kryeministri në dorëheqje ju drejtua Gjykatës Kushtetuese të premten me kërkesë për sqarim të situatës./REL

Të ngjashme
UKT