Kostelancik, ambasadori i SHBA në Tiranë


Kostelancik, ambasadori i SHBA në Tiranë

15:43 24/01/2023

Propozimi i Presidentit Biden pritet të votohet në senat

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar që të jetë David J. Kostelancik kandidati për ambasador i Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.

Kandidatura e tij është publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë dhe do të shqyrtohet nga Senati. Por më parë diplomati Kostelancik do të ketë edhe një seancë dëgjimore në Dhomën e Ulët.

Kostelancik ka një karrierë të gjatë në diplomaci, madje ka punuar dhe në ambasadën amerikane në Tiranë.

Ai ka shërbyer edhe si Zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë, në Ambasadën Amerikane në Hungari.

Ka qenë edhe Drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtori i Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjit.

Ka punuar dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, ka punuar në Misionet Amerikane në OSBE dhe në NATO, si dhe në ambasadën amerikane në Turqi.

Aktualisht mban detyrën e këshilltarit të stafit ushtarak në Pentagon. Nga jetëshkrimi i tij mësohet se ai flet shqip, rusisht, hungarisht dhe turqisht.

Ambasadores Kim i ka përfunduar mandati, por do të qëndrojë në detyrë derisa të miratohet kandidatura e pasardhësit të saj nga Senati.

Tv Klan









Të ngjashme