Ish ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka veçuar rolin përcaktues të faktorit shqiptar në finalizimin e Marrëveshjes së Prespës. Në një intervistë në televizionin publik ERT, Kotzias ka zbardhur disa prej “prapaskenave” të negociatave për zgjidhjen e çështjes për emrin e Maqedonisë.

Ai tha se përpjekjet e qeverisë Tsipras filluan në verën e 2015-ës, kur në pushtet ishte Nikolas Gruevski, por këto përpjekje nuk dhanë rezultat. Ish-shefi i diplomacisë, zbuloi se në të njëjtën kohë nisën bisedimet edhe me kreun e opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, si edhe me Ali Ahmetin, të cilin gjatë intervistës e cilësoi si “liderin natyral të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani, zv/kryeministri aktual, ishin aleatët tanë në negociata. Ky bashkëpunim me shqiptarët dha fryte deri në fazën përfundimtare të negociatave.”

Kotcias zbuloi se kishte marrë një telefonatë nga Hillary Clinton që i sugjeronte të mos fliste me opozitën e Zaev dhe shqiptarët për të mos vënë nën presion Gruevskin. Ish-ministri tha se i kërkoi që të mos ndërhynte në punët e brendshme.

Tv Klan