“Zgjatja e procesit po ul besimin e qytetarëve”

Në mungesë të sinjalit politik nga Sofja fqinje për zhbllokim të rrugës evropiane të vendit, autoritetet në Shkup pritshmëritë e tyre haptazi i kanë orientuar drejt Brukselit. Kryeministri thotë se mendon njësoj si shefi i tij i diplomacisë, i cili sugjeroi se “koha që të tërhiqet vija” në qoftë se Bullgaria nuk e tërheq veton deri në Qershor.

“Për këtë arsye BE-ja më në fund duhet të marrë vendim, flas për të gjitha vendet anëtare duke përfshirë edhe Bullgarinë, për organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare. Çdo proces që zgjat shumë, zgjat tepër, ndërsa nuk ka rezultate konkrete, bëhet proces në të cilin ulet besimi nga ana e qytetarëve.”

Megjithatë, Kovaçevski theksoi se integrimi euro-atlantik i vendit mbetet orientimi i vetëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se heqja e shpejtë e vetos në nivel të dialogut strategjik me SHBA-të nuk do të thotë zëvendësim i marrëdhënieve me BE-në.

“Për ne nuk ekziston zëvendësim për anëtarësimin në BE, ne jemi pjesë e Evropës, kemi harmonizuar 45% të ligjdhënies me BE-në, kemi bashkëpunim në nivel ditor, në aspekt të financimit të një pjese të madhe të projekteve përmes programit IPA, të mos harrojmë se gjatë krizës Covid ndihmë makrofinanciare kemi shfrytëzuar nga BE-ja, unë gjatë javës së ardhshme do të qëndroj në Bruksel, marrëdhëniet janë në nivel jashtëzakonisht të lartë.”

Dialogu strategjik me SHBA-të, në fusha të ndryshme, është avancim i bashkëpunimit të deritanishëm dinamik, sqaroi edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Burns, posaçërisht pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Tv Klan