“Ndryshimi i kushtetutës vetëm për bullgarët”

VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje Kryeministrit Kovaçevski të prononcohet para opinionit nëse ka pranuar që Maqedonia e Veriut të jetë shtet i dy popujve, maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Sipas informacioneve tona, në komisionin për përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese, është biseduar që Maqedonia të jetë shtet dykombësh, respektivisht shtet i dy popujve, i disa bashkësive dhe pakicave etnike. Në vend që Maqedonia të luftojë kundër kërkesave të jashtme, përballet me kushte të reja nga brenda”, tha Marija Miteva.

Kryeministri Kovaçevski ka përgënjeshtruar këto pohime duke i quajtur sajime të opozitës, për të mbjellur frikë tek qytetarët. Kryeministri ka rikujtuar pohimet e ngjashme të opozitës, për miliona migrantë, për kantonizimin e vendit pas ndarjes së re territoriale, për sulmet ndaj propozimit francez e të ngjashme, të cilat, sipas tij, kanë rezultuar të rrejshme nga ana e opozitës.

“Ndryshimi i Preambulës dhe futja e pjesëve të popullit bulgar, 3.500 bashkëqytetarëve tanë që janë vetëpërcaktuar si Bullgarë, është pjesë e kornizës negociuese ku siguruam identitetin e mbrojtur dhe gjuhën maqedonase dhe me të cilët nisëm negociatat. Është pjesë e obligimeve që Kuvendi do t`i bëjë dhe më pas do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve dhe klasterëve, kurse vendi në 2030 do të bëhet pjesë e BE-së. Këtë do ta realizojmë së bashku”.

Lidhur me reagimet nga Sofja pas deklaratës së tij në Samitin e Këshillit të Evropës në Rejkjavik, ku tha se sjellja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është e njëjtë sikurse e Rusisë ndaj Ukrainës, Kryeministri Kovaçevski, siç përcjell KlanM, ka theksuar se atë që kishte për ta thënë e kishte shprehur në këtë Samit para 46 delegacioneve.

Klan Macedonia