Më 28 Janar votohet qeveria e re me kryeministër shqiptar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas nënshkrimit të dorëheqjes, e ka dorëzuar atë personalisht në Kuvend. Kovaçevski pati edhe një takim me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, i cili do të jetë kryeministri i qeverisë teknike.

Në deklaratën e dhënë për mediat Kovaçevski tha se Talat Xhaferi është politikan me përvojë të madhe. Sakaq, Kovaçevski është i bindur se ai do të jetë sërish në krye të qeverisë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 8 Majit.

“Më 9 Maj përsëri unë do ta udhëheq qeverinë, sikurse edhe këtë shumicë parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësim të plotë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në BE deri në  vitin 2030.”

Pasditen e së enjtes, dorëheqjen si kryetar i Parlamentit e dha edhe Talat Xhaferi.  Pas konstatimit të këtyre dy dorëheqjeve, të premten do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

Xhaferi po në këtë ditë do të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, e cila duhet të votohet nga Parlamenti të dielën më 28 Janar.

Kjo është hera e parë që një shqiptar do të mbajë postin e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut.

Klan Macedonia