Kryeministri i Maqedonisë së Veriut kërkon respektimin e ndryshimit në ligj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka thënë sot se, të gjithë punëtorët që punojnë të dielën duhet të paguhen më së paku 50 % mëditje më të lartë.

Ai gjatë vizitës së sotme në një fabrikë për të parë se si zbatohet ligji “E diela ditë jopune”, tha se, çelësi i strategjisë së suksesshme në pjesën e investimeve të huaja është sigurimi i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të investimeve, por edhe paga mbi-mesatare me  çka përmirësohet cilësia e jetës dhe e të ardhurave të qytetarëve.

“Puna e punëtorit duhet të vlerësohet ne mënyrë adekuate dhe të respektohet. Ky ligj ka efekte shumë pozitive ndaj ekonomisë, ai i stimulon punëtorët dhe ndikon në mënyrë pozitive në produktivitetin e tyre që është në interes të vet kompanive. Ligji e diela ditë jopune do të jap rezultate të shkëlqyera në rritjen e prodhimtarisë së kompanive dhe avancimit të ekonomisë.”

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në fund të muajit dhjetor votuan ligjin që e diela të bëhet ditë jo pune. Ligji ka hyrë në fuqi nga një janari. Me ndryshimet e reja janë përfshirë rreth 92% të punëtorëve, ndërsa 8% punojnë në veprimtaritë të cilat nuk mund të ndërpriten. Por, ata që punojnë të dielën, duhet t’u paguhet mëditje shtesë nga ana e punëdhënësve.

Klan Maqedonia