Irma Balli do të hetohet nga shkalla e parë e Vetting-ut për pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të rikthej dosjen e Prokurores së Apelit Korçë, Irma Balli, për rivlerësim në shkallë të parë.

Për herë të parë shkalla e dytë e Vetting-ut ka marrë një vendim të tillë, ku vendosi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet që të rihetojë prokuroren Balli edhe për aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës.

Për këto të dy kritere magjistratja nuk kishte kaluar filtrat e KPK-së. Po ashtu KPA ka konstatuar se prokurorja ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë e saj, ndryshe nga sa ka pretenduar shkalla e parë e Vetting-ut.

Irma Balli u shkarkua në 19 shkurt të 2019 nga KPK për shkak se u konstatuan probleme me burimin e krijimit të pasurisë. KPK e mbylli hetimit vetëm për kriterin e pasurisë pa i hetuar dy kriteret e tjera. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në raportin e dorëzuar në KPK theksonte se Balli kishte kryer deklarim të rremë dhe të pasaktë të pasurisë.

Ishte vetë prokurorja e cila ankimoi në KPA vendimin e shkallës së parë. Pas vendimit që u morë të martën Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duhet që të filloj hetim administrativ për Ballin dhe të caktoj datën e seancës dëgjimore.

Klan News