Gjyqtari: Nuk largohem nga detyra në gjykatë

Komisioni i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçin, të emëruar në detyrë nga Presidenti Meta. Komisioni arriti në përfundimin se Muçi nuk justifikonte pasurinë e tij dhe kishte probleme me pastërtinë e figurës.

Por Besnik Muçi tha se vendimi i KPA-se nuk kishte efekt mbi të si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe se ai do të vazhdonte ta mbante këtë detyrë.

“Në momentin që kam bërë betimin në zyrën e Presidentin e kam humbur statusin e prokurorit. Që nga ky moment, KPA nuk ka pasur kompetencë për të vazhduar shqyrtimin e çështjes sime. Në momentin që ka përfunduar statusi im si prokuror unë nuk jam më subjekt, KPA nuk ka kompetencë mbi anëtarin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ky qëndrim i Besnik Muçit e rëndon situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Por vetëm nga vendimi i zbardhur i Komisionit të Posaçëm të Apelimit do të mësohet nëse do të jetë vetë Komisioni që do ta shpallë të përfunduar mandatin e Muçit si gjyqtar kushtetues, apo vetë Gjykata ajo që do të vendosë për fatin e tij, pasi të njihet zyrtarisht me vendimin e Komisionit.

Ekspertë të jurisprudencës dhe njohës të Kushtetutës thonë se Muçi nuk mund të qëndrojë në detyrë, pasi në këtë mënyrë do të ishte i vetmi gjyqtar që do të mbante ende një funksion zyrtar, edhe pse vetingu e ka gjetur me probleme, në një kohë kur pa kaluar vetingun ligji parashikon se nuk mund të ushtrosh as profesionin privat të avokatit.

Me largimin e Besnik Muçit, Gjykata Kushtetuese mbetet me 4 anëtarë, por Vitore Tushës i ka mbaruar mandati, ndërsa mazhoranca dhe Presidenca janë në konflikt pasi shumica njeh Arta Vorpsin si anëtare, ndërsa Presidenti ka dekretuar Marsida Xhaferllarin.

Tv Klan