Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Elsion Sadiku.

Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici ka vendosu të mos rikonfirmojë në detyrë prokurorin.

Nga analiza e provave, KPK konstaton se bashkëshortja e prokurorit ka deklaruar të ardhura nga puna si dentiste në vlerën 1 milion lekë, ndërsa nuk rezulton e provuar që të ketë qenë e punësuar.

KPK ka konstatuar gjithashtu mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e pajisjeve tek klinika dentare e bashkëshortes me vlerën 7500 euro dhe njëkohësisht deklarim të pasaktë nga subjekti për kontratën e shit-blerjes së apartamentit duke mos arritur të justifikojë sipas komisionit as burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave. Sa i përket kontrollit të figurës, DSIK ka konstatuar përshtatshmëri për vijimin e figurës

Prokurori Elsion Sadiku e ka filluar karrierën në vitin 2006 dhe prej vitit 2010 mbante postin e zv.prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Korçë.

Ai u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e listës prioritare të Vettingut për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë./tvklan.al