KQZ vazhdon filtrimin, ende në pikëpyetje Albin Kurti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar nga 6 institucionet e drejtësisë e Sigurisë përgjigjet për kërkesat që i kishte dërguar ky institucion për verifikimin e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 Shkurtit nëse janë në përputhje me ligjin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka verifikuar se 47 nga 1080 kandidatë nuk janë në përputhje me ligjin për zgjedhjet.

Në një përgjigje për TV Klan KQZ-së sqaron se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vitet e fundit.

KQZ nuk i ka bërë të ditur emrat e kandidatëve pasi që pritet që pas pranimit të këtyre përgjigjeve zyra për regjistrimin e partive politike dhe certifikim do të përgatis rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

KQZ pas këtyre rekomandimeve do të marrë vendim më së largu deri më 22 Janar. Pas kësaj pason periudha për ankesa e cila është e paraparë të përmbyllet deri më 31 Janar.

Tv Klan