Celibashi: S’është në kushtet e ndalimit, në Shqipëri do ishte dënuar me gjobë

Pavarësisht dënimit në mungesë me tre vite burg nga Gjykata e Ios në vitin 2000 në Greqi, Qerim Ismailaj do të vijojë të mbajë mandatin e Kryebashkiakut të Mallakastrës.

Ka qenë ky vendimi që mori KQZ-ja, bazuar në përgjigjen e prokurorisë, që argumenton se për veprën penale “të përleshjes” në Shqipëri,  Kryebashkiaku i Mallakastrës do ishte dënuar vetëm me gjobë, pasi korrespondon në Kodin tonë Penal me veprën, “Dëmtime të tjera me dashje”. 

Në këtë mënyrë, Kryekomisioneri për Zgjedhjet, rrëzoi kërkesën e PD-së për ta shkarkuar Qerim Ismailjan, si subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit.

Bazuar në të njëjtin vendim të organit të akuzës, avokati i Kryebashkiakut të Mallakastrës tha se nga verifikimet ka rezultuar se klienti i tij nuk ka qenë ndonjëherë i dëbuar nga ndonjë autoritet i huaj, përfshi edhe Greqinë, si dhe nuk ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Por përfaqësuesi i opozitës në KQZ argumentoi se Ismailaj është në kushtet e ndalimit. Pas marrjes së këtij vendimi brenda tre ditëve mund të bëhet ankimimi në KAS.

Tv Klan