Miratohet lista e PD, nga 231 kandidatë garojnë vetëm 153

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton listën finale të kandidatëve të PD bashkë me partitë në koalicon, por me minus 78 kandidatë. Nga 231 emra që aspironin të ishin deputetë nga listat e PD, në garë për 25 Prillin do të jenë vetëm 153 pas vendimit të KQZ-së.

PD kishte dërguar 9 emra në shumë në Tiranë, Gjirokastër dhe Shkodër, 6 kandidatë më tepër në Elbasan, Fier, Durrës, Kukës dhe Vlorë, 3 kandidatë më shumë në qarkun e Dibrës dhe Lezhës.

Ndërsa përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji kërkoi hetime të thelluara për dy kandidatë të PD, Rezart Tushën dhe Zef Hilën.

Sipas përfaqësuesit ligjor të PD në KQZ Ivi Kaso, ligji cakton vetëm numrin minimal të kandidatëve që duhet të paraqiten për çdo qark e për këtë arsye kërkoi regjistrimin e plotë të kandidatëve, kërkesë që u rrëzua nga KQZ.

Nga verifikimet që ka bërë në kuadër të dekriminalizimit, kryekomisioneri deklaron se i ka rezultuar se asnjë kandidat i PD nuk ka ndalim.

Klan News