Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike, lidhur me kërkesën për sistemin e videomonitorimit të qendrave të votimit, si dhe të procesit të numërimit kur ai kryhet në mënyrë manual.

Në një letër zyrtare, KQZ njofton se janë duke punuar për sigurimin e sistemit, pasi po shqyrtohen ofertat financiare që janë bërë publike deri tani.

Kompetenca e KQZ e përcaktuar në nenin 22, paragrafin 2, të Kodit Zgjedhor, e cila ka të bëjë me përdorimin e kamerave monitoruese në qendrat e votimit dhe në vendet e numërimit të votave, është në vëmendje të shtuar të KQZ-së.

Ky aspekt i përgatitjes së zgjedhjeve të 25 Prill 2021 krahas aspekteve të tjerave të rëndësishme sikundër janë identifikimi elektronik i zgjedhësve, votimi e numërimi përmes përdorimit të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë se informacioni, projekti për votimin e emigrantëve, ndërtimi i platformave raportuese për veprimtarinë e institucioneve publike dhe për financimin e fushatës, janë në proces realizimi.

Në këtë kuadër, shumë shpejt KQZ do të kalojë për miratim aktet normative përkatëse, të cilat sikundër e kuptoni për shkak të risive që sjellin në zhvillimin dhe administrimin e procesit zgjedhor janë duke marrë kohën përkatëse për draftin.

Për momentin në kuadër të realizimit të projektit të vëzhgimit me kamera të qendrave të votimit dhe vendnumërimit të votave, janë duke bërë vlerësimin mbi kostot e mundshme financiare të këtij procesi si dhe vlerësimin të ekspertëve teknike të tij”, theksohet në letrën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në fund shtohet se të gjitha institucionet në varësi të KQZ po punojnë që të zbatohet çdo pikë e miratuar e Kodit Zgjedhor./tvklan.al