Lealba Pelinku: Presim fonde nga qeveria për procedurat e prokurimit

Për të vënë në zbatim projektin pilot për votimin dhe numërimin elektronik në 25 Prill, qeveria shqiptare do duhet ti japë fonde të tjera KQZ-së. Nënkomisionerja Lealba Pelinku në një intervistë për Klan News, tha se kjo procedurë do ti kushtojë shtetit shqiptar rreth 1.3 miliardë lekë.

“Ende nuk ka filluar procesi i përzgjedhjes, pritet të ketë një miratim të fondeve për sa i takon këtij projekti. Me tu miratuar fondet do ta vijohet me përzgjedhjen e operatorit, sistemit dhe më pas me implementimin. Vlera e cila është identifikuar shkon rreth 1.2-1.3 miliardë lekë të vjetër.”

Ndërsa, procesi për identifikimin biometrik ka ecur me ritme më të shpejta sipas nënkomisioneres Pelinku.

“Jemi në fazën në të cilën na duhet të kemi një bashkëpunim të ngushtë me kompaninë, për shkak të nevojës që kanë ata për të marrë të dhëna nga KQZ-ja dhe neve nga ana tjetër nga drejtoria e gjendjes civile. Të gjitha këto në kuadër të konfigurimit të pajisjes që të jetë e disponueshme sipas kriterve të kërkuara në ditën e zgjedhjeve.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar në Kukës testimin e dytë pas Tiranës, të verifikimit dhe regjistrimit elektronik të zgjedhësve. Kjo pajisje do të jetë në të gjitha qendrat e votimit me një operator teknik i cili do merret me funksionimin e procesit ditën e zgjedhjeve.

Klan News