Pas mbylljes së plotë të procesit të numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifra te reja mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Nga 21.6 për qind që ishte raportuar ditën e votimeve, Komisioni referuar në të dhënat përmbledhëse thotë se në 30 Qershor kanë votuar 812.249 zgjedhës ose 22.97 %.

“Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për kryetar bashkie është 765.825 ndërsa për këshill bashkiak, 760.933. Numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986.”

Pas kësaj deklarate ka reaguar Partia Demokratike, që akuzon se KQZ mashtroi me numrin e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore. Pjesëmarrja reale sipas tyre është 15 %.

“Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 për qind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin”, tha Ivi Taso.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore, ndërsa lidhur me shifrat kontradiktore kryetari Klement Zguri ka thënë se ato mund të verifikohen vetëm përmes një hetimi administrativ.

Tv Klan