Celibashi: Nuk është në kushtet e ndalimit
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi të mos i ndërpresë mandatin, duke e lënë në detyrë kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili nuk kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit një dënim të Gjykatës së Janinës për shkelje të kufirit në 23 Qershor të vitit 1999, kur ishte 17 vjeç.
Pas shqyrtimit të rezultateve të Prokurorisë së Përgjithshme, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se për Hajdarin nuk ka shkak ligjor që t’i ndërpritet mandati, pasi ky dënim nuk e pengon për të kandiduar.
“Kjo e dhënë nuk përbën, tashmë e certifikuar nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk e përfshin në kushtet e ndalimit. Nuk ka një shkak ligjor që kryebshkiakut të Kuçovës t’i ndërpritet mandati. Kjo është një çështje që nuk i përket KQZ”.
Por ndryshe nga vendimi i kryekomisionerit dhe mbrojtja e avokatit të kryebashkiakut të Kuçovës, përfaqësuesi ligjor i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, tha se Hajdari ka shkelur ligjin duke mos e deklaruar dënimin e dhënë nga drejtësia greke.
Përfaqësuesi ligjor i koalicionit BF: Çfarë parashikon ligji dhe vendimi i Kuvendit? Parashikon ndërprerje të menjëhershme të mandatit, qoftë edhe një vendim administrativ.
Avokati mbrojtës, Theodhsori Sollaku: Nuk është asnjë nga rastet ndaluese të dekriminalizimit.
Vendimi i kryekomisionerit irritoi jo pak Lefter Maliqin, i cili në 14 maj garoi nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë Hajdarit për Bashkinë e Kuçovës.
“Nëse ka marrë para është një turp, ka për të dalë një ditë, do të dalë një ditë. Diktaturë e pastër, turp, bandit”.
Përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se do ta ankimojnë vendimin e kryekomisionerit Celibashi, që sipas tyre është në vazhdën e vendimeve të marra në kundërshti me ligjin sikundër ai Ii 5 Prillit për Qerim Ismailjan, i cili u lejua të kandidojë në zgjedhje.
Tv Klan