Celibashi: 83 mijë fletë të pavlefshme, me emra do ishte ndryshe

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpalli listën fituese të kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit, që do të jenë në Kuvend 4-vjeçarin e ardhshëm. Në këto zgjedhje socialistët morën 74 mandate, duke fituar 8 qarqe. Demokratët morën 59 deputetë duke fituar 4 qarqe. LSI arriti të marrë katër deputetë dhe PSD 3.

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi publikoi edhe sa përqind e qytetarëve votuan për kandidatët e sa për partitë politike.

“PSD 78,48% e votuesve kanë votuar dhe për kandidatë, pjesa tjetër, 22% kanë votuar vetëm partinë. PS 76,23% për kandidatët. PD 76,71% për kandidatët. LSI 74% -75% që kanë dhënë votë parapëlqyese për kandidatët”.

Por si do të veprohet për rastet kur kryetarët e partive politike, siç është Kryeministri Rama apo kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kanë garuar në më shumë se një qark?

“Kjo është një çështje e vendimarrjes së komisionerit, nuk dua të bëj sqarimin para se të bëj vendimin”.

Në këto zgjedhje 83 mijë fletë votimi u shpallën të pavlefshme. Sipas Celibashit nëse në fletën e votimit do të ishin vendosur emrat e kandidatëve, ky fenomen mund të ishte shmangur.

“KQZ arriti të bënte një fushatë informimi si asnjëherë tjetër. Tani nuk dua të bëj profetin megjithëse jemi post-faktum, por nëse fleta e votimit do ishte me emra, ndoshta do ishte ndryshe. Por vendimmarrja e CAS-it dhe Kolegjit vlerësoi që informacioni mund të ishte më i thjeshtë për votuesit. Kemi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme”.

Sipas Celibashit, për këtë pavlefshmëri që prodhoi vendosja e numrit në fletën e votimit nevojitet një analizë e detajuar, ndaj ai ftoi partitë politike që të mosë hezitojnë përpara asgjesimit të fletëve të votimit nga KQZ-ja.

Tv Klan