Gati 16 orë pas mbylljes së votimit elektronik të zhvilluar në Vorë dhe Njësinë 10 në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në faqen e vet rezultatet për partitë dhe koalicionet si dhe për votën preferenciale.

Në Vorë fituese është Partia Socialiste me 57 për qind të votave dhe pas saj renditet Koalicioni opozitar i Partisë Demokratike me gati 34 për qind.

Krahas rezultatit për subjektet politike, KQZ publikoi edhe rezultatin për kandidatët ose siç njihet ndryshe për votën preferenciale.

Kështu, sa i përket listës së hapur të Partisë Socialiste në këtë bashki i pari renditet Blendi Gonxhja me 4759 vota dhe pas tij vjen Orlando Rakipi me 432 vota.

Në kampin opozitar më i votuari në këtë bashki rezulton Myslim Murrizi me 694 vota dhe pas tij vjen Asllan Dogjani me 629 vota.

Edhe në Njësinë 10 fituese e zgjedhjeve është Partia Socialiste e cila ka marrë 49 për qind të votave dhe e dyta renditet koalicioni kryesor opozitar me 32.3 për qind të votave.

Garën për kandidatë në radhët e socialistëve në këtë Njësi e kryeson Fatmir Xhafaj me 1722 vota dhe Erion Braçe 624 vota.

Te koalicioni i Partisë Demokratike i pari renditet doktor Ilir Alihmemeti me 848 vota dhe pas tij vjen Jorida Tabaku me 590 vota. 

Tv Klan