Celibashi: Ndryshimi i shpeshtë i tyre lëkund besimin e publikut

Komisioneri Ilirjan Celibashi është i shqetësuar për zëvendësimet e shpeshta që partitë politike bëjnë për komisionerët për zgjedhjet e 25 Prillit. Në një raport të dërguar në Kuvend nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Celibashi thekson se numri i madh i zëvendësimeve lëkund besimin e publikut në procesin zgjedhor.

“Sjellja politike e subjekteve zgjedhore ndikon opinionin publik sa i përket paanshmërisë dhe paanësisë së administratës zgjedhore të nivelit të dytë KZAZ. Numri i madh i zëvendësimeve, veçanërisht në muajin e zgjedhjeve, lëkund besimin e publikut në paanshmërinë. Propozimet dhe emërimet në javët e fundit para zgjedhjeve sjellin për pasojë realizimin e trajnimeve jo sipas standardeve të përcaktuara”.

Partitë politike mund të ndryshojnë numëruesit në rastet kur nuk kanë besim te paanshmëria e tyre.

Referuar ndryshimeve të Kodit Zgjedhor vitin që lamë pas, partitë politike mund të zëvendësojnë në çdo rast anëtarin e KZAZ-së, ndërsa për anëtarin e qendrës së votimit, është krijuar mundësia e dorëheqjes, çka detyron KZAZ-në ta zëvendësojë brenda dy orëve me propozim të partive përkatëse.

Klan News