Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me anë të zëdhënëses Drilona Hoxhaj, u ka bërë thirrje këtë të premte bashkive demokrate të mos pengojnë punën e KZAZ-ve në zonat e tyre.

Duke ndarë me opinionin publik shqetësimin e krijuar në këto bashki, KQZ i bën thirrje dhe kërkon reflektim të menjëhershëm për të mospenguar, apo cenuar punën e KZAZ-ve në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave të tyre”, tha zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj.

“Në rast mosreflektimi të këtij komunikimi, KQZ në përmbushje të detyrës dhe përgjegjësive të veta, do të marrë veprimet sipas përcaktimeve të ligjit në fuqi, për të shmangur çdo pengesë, apo qëndrim që tenton të cenojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të datës 30 Qershor 2019.

Thirrja vjen pasi më herët gjatë ditës, tre bashki përmes shkresave zyrtare drejtuar Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe KQZ-së, kërkuan lirimin e menjëhershëm të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, ambienteve të Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” në Burrel, dhe ato të Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina” e palestrës sportive të Shkollës së mesme të përgjithshme “Havzi Nela” në Kukës.

Kuvendi i Shqipërisë përmes rezolutës mbi aktin e Presidentit për shfuqizimin e dekretit 10/928 për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, dërguar në KQZ më datë 14 Qershor, ditën e sotme, ka kërkuar që KQZ të mbrojë pacënueshmërinë dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019.  KQZ sjell në vëmendje të kryetarëve të bashkive të sipërcituara se KZAZ-të janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në bashkitë përkatëse, sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor. KZAZ-të kanë detyrimin për të afishuar listën e zgjedhësve pranë qendrave të votimit përkatëse. KQZ me vendime ka përcaktuar vendet e numërimit të votave, në ambientet të cilat kërkohet lirimi i menjëhershëm, në një kohë kur ligji zgjedhor, i detyron të gjithë strukturat e pushtetit vendor që t’i vënë të gjithë ambientet në dispozicion të KZAZ-ve dhe të krijojnë kushtet për përgatitjen e procesit”, tha Hoxhaj. /tvklan.al