16 persona nga listat e kandidatëve të 8 subjekteve dhe koalicioneve që garojnë në 11 Maj do të verifikohen nga Prokuroria e Përgjithshme sipas ligjit të Dekriminalizimit.

Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve i është drejtuar me një kërkesë për verifikim të thelluara organit qendror të akuzës, pasi vetë kandidatët kanë deklaruar në formularin e dekriminalizimit se kanë pasur probleme me ligjin në të shkuarën, si evazion fiskal, debime nga vendet e Bashkimit Europian apo dhunë e vjedhje.

Shumica e kandidatëve janë nga koalicioni “Nisma – Shqiperia Bëhet” e Adriatik Lapaj dhe Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi, me nga 4 secili. 8 të tjerët u përkasin partive të vogla dhe asnjë nuk bën pjesë në dy subjektet kryesore, Partia Socialiste dhe koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike.

Koalicioni “Nisma -Shqipëria” Bëhet e Adriatik Llapajt ka në listat e saj 4 kandidatë per t’u verifikuar.

Entela Sula, që kandidon në qarkun e Tiranës, rezulton se është dëbuar nga Franca pasi i është refuzuar kërkesa për azil.

Erjon Selmani në Lezhë është në pritje të gjykimit në Itali pasi akuzohet për evazion fiskal të kryer në Ravena.

Euglen Gjini që kandidon në qarkun e Fierit po verifikohet gjithashtu pasi deklaron se e kanë dëbuar nga Gjermania gjatë periudhës së Covid-it.

Gazmir Memaj kandidat në Shkodër ka shënuar në formular se është dëbuar nga Beogradi në Janar të këtij viti, pa specifikuar arsyet.

Nga Partia Social-Demokrate, rezultojnë me probleme:

Klaudio Zotaj, që kandidon në Vlorë dhe rezulton se është ndaluar nga policia norvegjeze në Oslo pasi ka tejkaluar lejen e qendrimit.

Florjan Tomçini, që kandidon në Dibër dhe Kreshnik Gjonaj, i Qarkut të Lezhës të dy kanë deklaruar probleme me dokumentat e drejtimit të automjeteve kur kanë jetuar jashtë.

Dhe Lisman Pëllumaj, kandidat për deputet në  Shkodër, i akuzuar për vjedhje në Gjermani, por që deklaron se është shpallur i pafajshëm.

Akuzat më të rënda rezulton t’i ketë pasur Geront Sefo, kandidat i Aleancës Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku. Ai deklaron se ndaj tij është marrë masa e “arrestit me burg” për “prodhim armësh dhe rrahje” nga Gjykata e Pogradecit në vitin 2013-2014, por që thotë se ka rezultuar i pafajshëm. Sefo rezulton edhe i dëbuar nga autoritetet italiane pas një urdhër arresti ndërkombëtar që kishte lëshuar Gjykata e Katanias për bashkëpunim në një vepër penale.

Po nga ky subjekt, Gramoz Ismailaj që kandidon në Vlorë rezulton i akuzuar për vjedhje në Greqi, por që deklarohet i pafajshëm.

Partia Mundësia e Agron Shehajt ka dy kandidatë për verifikim.

Adela Qemali, që garon në Tiranë është dëbuarnga Franca pasi nuk ka respektuar kërkesën për azil.

Ndërsa Altin Muceku, po në Tiranë është dëbuar nga dy shtete: Franca dhe Austria, për emigracion të paligjshëm.

Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit ka 1 kandidat për verifikim.

Dritan Tafhasaj, në Kukës deklaron se është hetuar në Kosove për vjedhje, por sipas tij ishte një keqkuptim.

Edhe Demokratët Euroatlantikë të Lulzim Bashës kanë një kandidat për verifkim. Desard Muzhaqi, që kandidon në Elbasan, ka bërë dy muaj burg në Greqi pasi nuk ka pasur dokumenta qëndrimi.

Ndriçim Kamberaj, i Aleancës “Kombëtare Shqipëtare”, që kandidon në Vlorë rezulton i debuar nga Franca për tejkalim të lejës së qëndrimit.

Arjel Rragami, i Koalicioni “Djathtas Për Zhvillim” Shkodër është dërguar po ashtu për verifikim.

Nëse prokuroria do t’i gjejë në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, ata nuk do të jenë më pjesë e listave të kandidatëve për deputetë.

Tv Klan