Krasniqi: Presim që vaksina të vijë sa më shpejt të jetë e mundur



Krasniqi: Presim që vaksina të vijë sa më shpejt të jetë e mundur

20:22 20/02/2021

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, është deklaruar rreth asaj se a do të ketë rritje të rasteve me virusin COVID-19 pas tubimeve që ishin bërë gjatë fushatës zgjedhore.

“Është e vështirë të parashikohet sa do të kemi rritje të numrit të rasteve të reja, megjithatë pandemia na ka mësuar se çdo herë kur ka mosrespektim të masave mund të pritet një numër i madh i të infektuarve. Ne po e përcjellim situatën epidemiologjike me vëmendje dhe varësisht nga situata që do të paraqitet, ne do t’i kundërpërgjigjemi. Sidoqoftë, u bëjë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat anti COVID”.

Ai tha se situata me pandeminë momentalisht është e menaxhueshme dhe se në të gjitha spitalet janë të shtrirë 485 pacientë, ku prej tyre 336 janë me oksigjenoterapi.

“Aktualisht situata me pandeminë COVID-19 është e menaxhueshm që nga fillimi i muajit janar, ne kemi një situatë shumë më të favorshme nga aspekti epidemiologjik ku numri i rasteve të reja ka arritur të stabilizohet rreth 300 në ditë. Në spitalet tona kemi 485 pacientë të shtrirë në ditën e sotme prej tyre 336 janë me oksigjenoterapi ndërsa 26 të tjerë janë në gjendje shumë të rëndë”.

Sa i përket vaksinës anti COVID, ai ka thënë se institucionet janë duke punuar që sa më shpejtë ajo të arrijë në Kosovë.

“Vaksina vjen për qetarët e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) janë në kontakt të përhershëm me prodhuesit e vaksinave dhe ne presim që vaksina të arrijë në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur. Normalisht ndër kategoritë e para do të jenë punëtorët shëndetësor dhe personat e moshuar me sëmundje kronike”, tha Krasniqi/klankosova






Të ngjashme