Ekspertët: Bankat optimiste për projekte turistike dhe ato në infrastrukturë

Pjesa më e madhe e kredisë së re që kanë dhënë bankat gjatë periudhës së parë të këtij viti ka shkuar për sektorin e ndërtimit, duke e bërë degën më të financuar kundrejt sektorëve të tjerë, ku për herë të parë është kaluar edhe financimi që jepet për degën e tregtisë.

Në total kredia e re për ndërtimin në Janar-Prill të këtij viti ka arritur në nivelin e 81 milionë Dollarëve, duke zënë 20% të peshës së huas së re dhe duke u rritur mesatarisht me 20 milionë dollarë më shumë se në periudhat e njëjta të viteve 2020 dhe 2019.

Ekspertët financiarë thonë se ky ndryshim në sjelljen e bankave të cilat kanë qenë të tërhequra ndaj këtij sektori ka të bëjë dhe me vetërregullimin që i ka ndodhur investitorëve të ndërtimit.

“Bankat kanë qenë skeptike me ndërtimin, por kohët e fundit kredia është dhënë për projekte në infrastrukturë, rindërtimi, por dhe projekte të mira në turizëm që është një fushë e cila kthen me norma të larta investimin”, tha Brunilda Isaj, eksperte financiare.

Bankat kanë rritur në këtë periudhë edhe kredinë e dhënë ndaj individëve për blerjen e banesave. Huatë për shtëpi arritën në 104 milion Dollarë, kundrejt 65 dhe 72 milionëve të dhëna në vitet e tjera.

“Jo vetëm rritja e huave për banesa, por kjo ofertë për blerjet e shtëpive nga sektori bankar është shoqëruar edhe me norma të ulëta interesi kredie, çka tregon se bankat ndihen të sigurta më shumë në financimin e individëve se bizneset.”

Për vitin 2021 bankat kanë dhënë mesatarisht 25 milionë dollarë në muaj për blerjen e banesave për individët dhe 20 milion për kompanitë e ndërtimit, duke regjistruar shifrat më të larta ndër vite.

Tv Klan