Shtohet interesi për blerjen e shtëpive

Kredia për individët ka njohur rritjen më të lartë të një viti në fund të muajit tetor.  Pas një stepje të bankave për shkak të karantinës për të financuar blerjet e shtëpive, huaja për këtë kategori ka njohur një rritje të shpejtë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që nga muaji prill, kredia për individët u rrit me 100 milionë Dollarë, shumica e të cilës shkoi për mbështetjen e blerjes së shtëpive. Në total kredia e dhënë për financimin e banesave që pas rihapjes së ekonomisë arrin në 65 milion dollarë.

Vetëm gjatë tetorit huaja për pasuritë e patundshme u rrit me 13 milion Dollarë. Normat mesatare të interesit për financimin e shtëpive kanë arritur në nivelet më të ulëta të këtij viti, në 3.41%, nga 4.2% që ishin në prill dhe 3.78% në fund të shtatorit.

Në gjysmën e parë të vitit për shkak të masave të marra ndaj pandemisë së COVID, numri i banesave të shitura për agjentët imobiliarë ra nga 7 shtëpi të shitura për agjenci në 5, por pavarësisht kësaj çmimi i pasurive të patundshme pësoi një rritje në nivelin 6.5% për kryeqytetin. Sipas të dhënave të tërthorta nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të bankës qendrore, kërkesat për blerjen e shtëpive dhe rritjen e kreditimit për këtë qëllim rezultojnë në rritje pas muajit qershor.

Tv Klan