Kremlini është shprehur “i alarmuar” nga raportimet e të përditshmes amerikane The New York Times, se Shtetet e Bashkuara janë duke përgatitur një varg sulmesh të fshehta kibernetike në rrjetet ruse.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia është me siguri mbrapa hakimit masiv, të njohur si SolarWinds, i cili ka goditur një mori institucionesh publike dhe private.

Ekspertët besojnë se ky hakim mund të përbëjë kërcënim të vazhdueshëm.

Rusia, në anën tjetër ka hedhur poshtë akuzat.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan ka thënë muajin e kaluar se Uashingtoni do të përgjigjet ndaj sulmit “në javë, jo muaj”.

Raporti i 7 marsit në gazetën amerikane ka cituar disa zyrtarë anonimë, të cilët janë cituar të kenë thënë se Uashingtoni po planifikon një seri kundërsulmesh në rrjetet ruse, si hakmarrje ndaj hakimit SolarWinds.

Sipas tyre, hapi i parë pritet të bëhet brenda tre javësh.

Në raport është thënë se veprimet mund jenë të qarta për presidentin rus Vladimir Putin dhe inteligjencën ushtarake, por jo edhe për pjesën tjetër të botës.

“Ky është informacion alarmues”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Ky mund të jetë krim kibernetik ndërkombëtar”.

“Fakti që gazeta nuk e hedh poshtë faktin që shteti amerikan mund të përfshihet në krim kibernetik, natyrisht se krijon vend për shqetësim”, ka shtuar Peskov.

Këto raportime kanë ardhur pasi Qeveria amerikane ka paralajmëruar për sulm të madh kibernetik që shënjestron serverët e gjigantit Microsoft.

Sipas autoriteteve amerikane, ky sulm mund të jetë i lidhur me Kinën./REL