Kremlini njoftoi se Presidenti Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin do të zhvillojnë një telefonatë me video të martën. Ky zhvillim vjen ndërsa tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë po përshkallëzohen, për shkak të rritjes së numrit të trupave ruse të dislokuara në kufirin me Ukrainën, çka po shihet si shenjë e një ofensive të mundshme ushtarake.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi të shtunën rreth bisedës, nëpërmjet agjencinë shtetërore ruse të lajmeve ‘RIA Novosti’. Ai tha se biseda do të zhvillohet në mbrëmje.

Presidentët do të vendosin vetë se sa do të zgjasë biseda“, tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende komente rreth këtij njoftimi.

Një zyrtar amerikan i tha agjecisë së lajmeve ‘Reuters’ të shtunën, se Presidenti Biden dëshiron të diskutojë rreth shqetësimeve të Uashingtonit mbi rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, si dhe çështje të stabilitetin strategjik, kibernetik e çështje rajonale.

Udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë zhvilluar një bisedë mes tyre që nga muaji korrik, kur zoti Biden i kërkoi zotit Putin të ndalë bandat e hakerëve kriminalë me bazë në Rusi, që kanë orkestruar sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara. Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur infrastrukturën e tyre jetike, nga çdo sulm i tillë.

Rusia këmbëngul që Uashigtoni të garantojë që Ukraina nuk do të pranohet në NATO. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, e bëri të qartë javën e kaluar se Rusia nuk ka asnjë rol në planet e zgjerimit me vendet e tjera.

Zbulimi amerikan: Rusia po planifikon një ofensivë të mundshme ndaj Ukrainës

Të premten Presidenti Joe Biden deklaroi se do ta bëjë “tejet të vështirë” për Presidentin rus Vladimir Putinin të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainë, komente që pasuan njoftimet nga zyrtarë amerikanë të zbulimit, se Moska do të nisë një ofensive të mundshme ushtarake ndaj Ukrainës në fillim të vitit 2022.

Sipas një zyrtari të administratës Biden, i cili foli në kushte anonimiteti, rusët po planifikojnë të vendosin rreth 175,000 trupa dhe pothuajse gjysma e tyre janë vendosur tashmë përgjatë pikave të ndryshme pranë kufirit me Ukrainën.

Kjo vjen pasi Rusia i ka parashtruar Presidentit Biden një kërkesë për të garantuar që Ukraina, nuk do të lejohet t’i bashkohet NATO-s.

Zyrtari shtoi se planet parashikojnë lëvizjen e 100 grupeve taktike të batalioneve ruse së bashku me forca të blinduara, artileri e pajisje.

Zyrtarët e zbulimit kanë parë gjithashtu një rritje në përpjekjet e propagandës ruse, për të denigruar Ukrainën dhe NATO-n, përpara sulmit të mundshëm.

I pyetur të premten në mbrëmje, në lidhje me gjetjet e agjencive të zbulimit, zoti Biden përsëriti shqetësimet e tij lidhur me provokimet që vijnë nga Rusia.

Ne kemi qenë të vetëdijshëm për veprimet e Rusisë për një kohë të gjatë dhe presim që të kemi një diskutim të gjatë me Putinin”, tha Presidenti Biden.

Zyrtarë dhe ish-diplomatë amerikanë thonë se ndërsa Presidenti Putin qartësisht po hedh bazat për një sulm të mundshëm, ushtria e Ukrainës është e armatosur dhe e përgatitur më mirë, krahasuar me vitet e kaluara dhe se sanksionet që Perëndimi po kërcënon të vendosë ndaj Moskës, do t’i shkaktonin dëme serioze ekonomisë ruse. Mbetet e paqartë nëse zoti Putin synon të bëjë përpara, me atë që do të ishte një ofensivë e rrezikshme, thanë zyrtarët.

Më herët gjatë ditës së premte, zoti Biden u zotua ta bëjë “shumë më të vështirë” për Presidentin rus që të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Ukrainës dhe tha se nismat e reja që vijnë nga administrata e tij synojnë ta pengojnë agresionin rus.

Kremlini tha të premten se zoti Putin do të kërkonte garanci për moszgjerim të NATO-s me Ukrainën gjatë bisedimeve me Presidentin Biden. Por Presidenti Biden tha të premten “se ai nuk do të pranonte vijë të kuqe nga askush”./VOA