Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë organizoi pritjen vjetore për nder të përvjetorit të 242-të të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Në fjalën e tij mjaft të shkurtër, ambasadori Lu iu tha të pranishmëve:

“Meqë ky është koncerti im i fundit për Ditën e Pavarësisë me ju, më lejoni të them se ka qenë një nder shumë i madh që e kam bërë këtë udhëtim me ju”.

Shefi i zyrës së Marrëdhënieve me publikun në ambasadën amerikane Ryan Roberts shpjegoi në një intervistë se cila ishte tema e këtij viti dhe pse ishte zgjedhur.

“Jemi shumë të emocionuar që organizojmë mbrëmjen e sotme. Është një koncert, quajtur Red, Ëhite & Blues, me performanca nga Eugent Bushpepa, Kamela Islamaj dhe Anxhela Peristeri dhe muzikantët e tyre fantastikë. Kur shikon temën – Red, White & Blues – flasim për patriotizmin e Shteteve të Bashkuara, por flasim edhe për muzikën e madhe blues.

Për cilindo që di diçka mbi muzikën blues, është stili muzikor tipik amerikan dhe prek çdo lloj muzike në Shtetet e Bashkuara, jo vetëm bluz, jo vetëm xhaz, por edhe rock, edhe sëing, edhe muzikën country edhe atë folk. Pra, në koncertin sonte, të ftuarit do të dëgjojnë çdo lloj muzike të ndikuar nga Red, White dhe Blues”.

Pas paraqitjes së flamujve nga trupa e marinsave të ambasadës, banda e qytetit performoi dy himnet kombëtare. Më pas, këngëtarët e njohur Eugent Bushpepa, Kamela Islamaj dhe Anxhela Peristeri luajtën një numër këngësh të mirënjohura amerikane.

Tv Klan