Me mijëra besimtarë myslimanë mbushën këtë të hënë sheshin “Skënderbej” për festën e Fitër Bajramit. Pas muajit të shenjtë të Ramazanit, ceremonia për faljen e Namazit nisi në orën 6:20 minuta me leximin e Kuranit. Krah mesazhit për më shumë solidaritet me njëri-tjetrit, Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u lut për paqe në botë në këtë kohë trazirash.

Falja e namazit u mbajt dhe në qytete të tjera të vendit. Në Elbasan, me mijëra besimtarë e kryen ritin e Faljes në sheshin kryesor të qytetit. Myftiu Agim Duka e përqendroi lutjen e tij për më shumë shëndet dhe paqe.

Reshjet e shiut shoqëruan faljen e Namazit në qytetin e Durrësit, aty ku qindra besimtarë myslimanë shkëmbyen me njeri-tjetrin mesazhe harmonie. Në Korçë falja e namazit u bë në xhaminë e Iljaz bej Mirahorit dhe sheshin para saj.

Në qytetin e Vlorës ora 6.20 minuta i gjeti besimtarët në Pallatin e Sportit ” Flamurtari” për shkak të numrit të lartë të tyre. Edhe në Lushnje besimtarët e falën Namazin në mjediset e shkollës 9 vjeçare “Skënder Libohova” për shkak të reshjeve të shiut. Ata ndanë mes tyre urimet për mbarësi.

Besimtarët myslimanë në Lezhë e nisën kremtimin e Fitër Bajramit në xhaminë e këtij qyteti. Urimet për shëndet dhe respekt ndaj njeri tjetrit i shoqëroi edhe myslimanët në Shkodër, gjatë ritualit të faljes së namazit.

Tv Klan