“Të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë për tragjedinë”

Kanë qenë të shumta reagimet në mbështetje të Shqipërisë nga liderët e vendeve fqinje dhe ndërkombëtarët, në situatën e vështirë të krijuar nga lëkundjet e fuqishme të tërmetit.

Ndër mesazhet e para ishte ai i ambasadës amerikane, që përmes rrjetit social Facebook shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate të vështirë. Të parët që njoftuan dërgimin e ndihmave ishin presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Federica Mogherini në një deklaratë për shtyp ofroi asistencën e Mekanizmit Europian për Mbrojtjen Civile. Ajo tha se Qendra Europiane për Koordinimin dhe Reagimin ndaj Emergjencave është në kontakt me mbrojtjen civile shqiptare. Solidaritet me Shqipërinë shprehu edhe presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli.

Ndihmë edhe mjete logjistike dhe ekspertë ka dërguar edhe Greqia, siç njoftoi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis përmes faqes online të zyrës së tij.

Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë: Ndodhi një tërmet i madh, është shumë e rëndësishme që të jemi kurdoherë në gatishmëri dhe të ndihmojmë kudo që të nevojitet. Uroj të lëvizim shpejt dhe të shpëtojmë jetë njerëzish. Jemi shumë krenarë që kemi mundësinë të ndihmojmë vendin fqinj. Rrugë të mbarë dhe energji.

Ndërsa ish-kryeministri Aleksis Cipras zgjodhi ta shprehë në gjuhën shqipe mesazhin e tij në Tuiter në mbështetje të vendit tonë.

Kryeministri italian Xhuzepe Konte njoftoi përmes Tuiterit, nisjen e menjëherëshme të ekipeve ndihmëse të emergjencës nga Italia drejt Shqipërisë. Edhe lideri i opozitës italiane Mateo Salvini tha se i qëndronte pranë vendit tonë në këtë moment të vështirë.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev njoftoi akordimin e një fondi ndihme prej 6 milionë dinarësh, rreth 100 mijë euro për Shqipërinë.

Tv Klan