Të ftuar edhe liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor

Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderë të Bashkimit Europian janë mbledhur mbrëmjen e sotme në Bruksel, për të përgatitur samitin e Zagrebit, që mbahet nga 5 deri në 7 Maj dhe që do t’i kushtohet perspektivës së zgjerimit të unionit.

Samiti jozyrtar i Brukselit, i thirrur nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të fokusohet te diskutimi i metodologjisë së re të zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Europian në 5 Shkurt.

Aty marrin pjesë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, si vendi që ka Presidencën e Unionit.

Samiti jozyrtar për Ballkanin zhvillohet në një atmosferë pozitive për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Siç e kishte paralajmëruar Kryeministri kroat Plenkoviç në 9 Janar, Franca do të mbante një qëndrim pozitiv nëse metodologjia e re e Komisionit Europian për Zgjerimin do të mirëpritej.

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se nëse vlerësimi i Komisionit Europian për përparimin e reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri është pozitiv, atëherë vendi i tij do të jetë pro hapjes së negociatave me të dy vendet.

Burime të Bashkimit Europian në Bruksel shprehen se metodologjia e rishikuar e zgjerimit mirëpritet edhe nga Holanda dhe Danimarka. Por për të dhënë dritën jeshile, të dyja vendet presin raportin e Komisionit Europian mbi evolucionin e reformave në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, që do të prezantohet në fund të Shkurtit.

Tv Klan